Presidenti i SHBA Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për ta uruar për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Gjatë bisedës me Putin, Trump tha se do të takohet me Presidentin rus në një të ardhme të afërt, me të cilin do të diskutojë për garën e armatimeve, çështjen e Ukrainës dhe luftën në Siri.

Dy ditë më parë, Vladimir Putin mori 76% të votave në zgjedhjet presidenciale duke marrë një mandat 6-vjeçar për herë të katërt.

Trump deklaroi se gara e armatimeve mes SHBA-së dhe Rusisë ka dalë nga kontrolli. Megjithatë, në bisedën që zhvilloi me Putin, presidenti amerikan nuk foli për çështjen që ka ngjallur tensione mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë, atë të helmimit të ish-agjentit të dyfishtë Skripal.

Londra fajëson Moskën për helmimin e ish-spiunit, por Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në këtë rast. Tensionet për këtë çështje bënë që Britania të dëbonte 23 diplomatë rusë nga vendi.

/tvklan.al