Irani: E nisët luftën me një akt terrorist

“E urdhërova vrasjen e Qasem Soleimanit për të ndalur dhe jo për të nisur një luftë”. Ky është reagimi i presidentit amerikan, Donald Trump për sulmin ku u vra kreu i forcave speciale iraniane Kuds, një sulm që ka rritur në kulm tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Në Lindjen e Mesme vrasja e ka përshkallëzuar situatën.

Teherani e akuzon Uashingtonin se tashmë e ka nisur luftën nëpërmjet një akti terrorist.

Mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e gjeneralit Soleimani dhe të numrit dy të Forcave të Mobilizuara Popullore, Abu Mahdi al -Muhandis, në Bagdad, duke thirrur “Vdekje Amerikës”.

Mes tyre ishte edhe kryeministri irakian, Adil Abdul Mahdi, i cili qëndroi pranë arkivolit, që do të dërgohet në Teheran, për një ceremoni shtetërore përpara se të varroset.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ndërkohë 3 mijë trupa shtesë në rajon, ndërkohë grupime të tjera qytetarësh në Bagdad e festuan vrasjen e Soleimanit.

Teherani ka premtuar hakmarrje, pasi Qasem Solejmani konsiderohej si njeriu më i rëndësishëm i regjimit islamik pas Ayatollahut Khomeini dhe si lideri i ardhshëm i vendit.

Ndërsa Pentagoni e konsideronte atë si arkitektin e sulmeve kundër interesave amerikane në Lindjen e Mesme dhe presidenti Trump iu referua si “terroristi numër 1 në botë”.

Vrasja me dron e gjeneralit më të rëndësishëm iranian është bërë objekt debatesh politike në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se urdhri duhet të ishte dhënë nga presidentët e mëparshëm, ndërsa senatori demokrat Kris Van Holen u shpreh se administrata amerikane ishte në dijeni së një ngjarje e tillë do të rriste rrezikun ndaj interesave amerikane në rajon.

Europa ka qëndruar e heshtur ndaj këtyre zhvillimeve, çka solli edhe kritika nga sekretari i shtetit, Mike Pompeo, i cili tha se europianët nuk kanë qenë aq të dobishëm sa duhet te ishin në këtë rast.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres iu bashkua thirrjeve për të ndaluar përshkallëzimin e situatës, duke thënë se bota s’mund ta përballojë një tjetër luftë në Gjirin Persik.

Tv Klan