WSJ: Plani po shqyrtohet. Ndërtesa në rrezen e raketave ruse

Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë. E përditshmja prestigjioze amerikane Wall Street Journal citon burime pranë administratës dhe ushtrisë amerikane që thonë se po shqyrtohen plane për dërgimin e forcave speciale ushtarake në Kiev, për të garantuar sigurinë e ambasadës që u hap sërish javën e kaluar pas tre muaj pezullim të punës si pasojë e sulmit rus në Ukrainë.

Dërgimi i trupave në Kiev duhet të marrë miratimin e Presidentit Joe Biden. Por Wall Street Journal shkruan se një vendim i mundshëm pozitiv i Biden shkon përkundër angazhimit të tij fillestar, se nuk do të dërgohen trupa amerikane në Ukrainë për të parandaluar përhapjen e konfliktit përtej Ukrainës. Ambasada amerikane në Kiev përfshihet brenda rrezes së goditjeve të raketave ruse, çka mund të rrezikojë në çdo moment shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore.

Sakaq, sulmi rus vazhdon me ashpërsi për marrjen e plotë të rajoneve të Luhanskut e Donjeckut. Moska thotë se ka marrë mbi 90% të këtyre rajoneve. Kievi thotë se 29,200 ushtarë rusë janë vrarë, teksa sulmi në Ukrainë është në ditën e 89. Zbulimi britanik thotë se disfata ruse në Ukrainë është e ngjashme me atë në Afganistan në vitet ’80.

Tv Klan