Palët akuzojnë njëra-tjetrën për ngecjen e bisedimeve

Në Mariupol po përsëriten skenat e tmerrit, që dolën në dritë javët e fundit në rajonin e Kievit pas tërheqjes së ushtrisë ruse. Në këto pamje shfaqen trupa civilësh të pajetë në anë të një prej bulevardeve kryesorë të qytetit jugor ukrainas.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se trupat mund të kenë disa kohë që qëndrojnë rrugëve, teksa janë mbuluar nga banorët e zonës.

Rusët pretendojnë marrjen e kontrollit të plotë të zonës urbane, por Kryeministri Denis Shihal tha se jo i gjithë qyteti është në duart e rusëve.

Në ditën e 54 të sulmit rus, predhat goditën disa depo armatimi në Lviv ku deri më tani flitet për 7 viktima. Bombardimet nuk kanë kursyer as Kharkivin ku u shënuan 2 humbje jete.

Janë publikuar këtë të hënë pamjet e para që tregojnë flakët në kryqëzorin “Maskva” që u fundos javën e shkuar pas goditjes nga predhat ukrainase në Detin e Zi .

Në ngërç janë futur tashmë edhe bisedimet mes dy vendeve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov fajësoi Kievin për mungesën e rezultateve të dialogut.

Ndërsa kryediplomati i Ukrainës, Dimitri Kuleba deklaroi se nëse Mariupoli bie në duart e rusëve, Kievi nuk do të ketë më arsye për të biseduar.

Tv Klan