Ekzistojnë “prova të besueshme” që ushtarët elitë australianë vranë padrejtësisht 39 persona gjatë luftës në Afganistan. Këto janë të dhënat e një raporti të publikuar nga Forcat Australiane të Mbrojtjes (ADF), pas një hetimi të brendshëm 4 vjeçar.

Në të thuhet se 19 ushtarë, të cilët janë ende pjesë e ushtrisë apo të larguar, duhet të hetohen nga policia për vrasjen e “të burgosurve, fermerëve apo civilëve” gjatë viteve 2009-2013. Gjatë hetimit të kryer nga Gjeneral Majori Paul Brereton u zhvilluan intervista me më shumë se 400 dëshmitarë.

Hetimi zbuloi se ushtarëve të rinj iu ishte thënë që të bënin vrasjen e parë duke qëlluar të burgosurit, në një praktikë të njohur si “gjakderdhje”.  Për të mbuluar krimet e tyre, në trupat e pajetë të afganëve u lanë armë dhe sende të tjera.

Sipas asaj që shkruan BBC, raporti në fjalë zbuloi se 25 ushtarë të forcave speciale kishin marrë pjesë në vrasje të padrejta, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në 23 ngjarje të ndryshme. Gjenerali Angus Campbell i ADF tha se asnjë prej këtyre incidenteve mund ka ndodhur për hir të luftës.

“Asnjë prej ngjarjeve nuk kanë ndodhur në rrethana kur autorët kanë qenë të paqartë, konfuzë apo në gabim”, tha ai për gazetarët.

Gjenerali u shpreh se kishte prova alarmante se disa prej ushtarëve të SAS (Shërbimi Special Ajror) e kishin “marrë ligjin në duart e tyre”./tvklan.al