Sot policia e kryeqytetit, forcat speciale dhe grupet e gatshme të rendit, kanë intensifikuar patrullimet e tyre në gjithë Tiranën. Grupi “Shqiponjat” kanë patrulluar në 12 rrugët kryesore të Tiranës që dalin në sheshin “Skënderbej” e ndërsa “Specialët” kanë qënë të vendosur si zakonisht në dalje të qytetit duke bërë kontrollet e makinave dhe të udhëtarëve.

Një prej shefave të trupave speciale tha se në kontrollet e ushtruara nuk ka patur probleme si dhe situata për të dukej krejtësisht e qetë. Ndërsa ndryshe nga uniformat blu, trupat komando të Zallherrit janë vendosur pranë institucioneve më të rëndësishme të shtetit si Kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit Popullor, Parlamentit si dhe Ministrive.

Shërbimi rreth këtyre objekteve të rëndësisë së veçantë sot, në ditën e votimit të referendumit, ka qënë më i përforcuar se zakonisht. Trupat komando kanë marrë urdhër që mos të tolerojnë asgjë dhe askënd. Në zonat e kufizuara janë kthyer pas jo vetëm makina por dhe kalimtarët. Kryeqyteti ndodhet në vëzhgimin e pandërprerë të strukturave të rendit, qëllimi i të cilave ka qënë votim i qetë dhe rend i garantuar gjatë së dielës./tvklan.al