Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, nuk kanë marrë pjesë në tryezën e organizuar nga presidenti Mejdani, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare. I vetmi përfaqësues i opozitës në këtë tryezë, ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë së re Demokrate Nard Ndoka.

Ambasadori i OSBE-së Gert Ahrens dhe ai i KE Jurgen Grunet, preferuan si datë të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare 17 Qershorin. Pas këtij takimi Dokle, Ndoka e Apostoli u shprehën.

Namik Dokle:- “Kjo ishte një konsultim teknik, lidhur me datën e zgjedhjeve. Siç dihet në bazë të Kushtetutës, data e fundit që mund të pranohet për zgjedhjet është 24 Qershori, por meqenëse ka një kërkesë nga Asambleja Parlamentare e KE, që të bëhet një javë përpara kjo datë meqenëse në datë 25 mblidhet Asambleja Parlamentare edhe vëzhguesit do të ishte më mirë të vinin një javë para në datën 17 Qershor”.

Nard Ndoka:- “PD ka mendimin e vetë dhe i ka thënë disa herë, ka shumë vërejtje me listat e zgjedhësve, me manipulimin e tyre. Unë nuk jam për bojkot, ai është një qëndrim i tyre”.

Gaqo Apostoli:- “Opozita nëse identifikohet me PD është një lloj shqetësimi, për arsye se është një paralajmërim për tensionim gjithmonë, po kishte parti të tjera si reformatorët. Presidenti do vazhdojë konsultime të tjera me KQZ dhe me autoritete të tjera”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame