Këtë të martë po zhvillohet një takim për reformën zgjedhore. Tryeza është thirrur nga prezenca OSBE-së në Tiranë. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka pasur një prononcim të shkurtër për mediat.

Ai tregoi se nga ekspertët ndërkombëtarë ka pasur disa sugjerime në lidhje me kufizimet dhe shpenzimet për fushatat zgjedhore. Propozime ka pasur edhe për të ndaluar reklamat politike.

“Nga ekspertët e Këshillit të Europës dhe Institutit Demokratik Amerikan janë duke u bërë disa sugjerime në lidhje me kufizimet dhe shpenzimet e fushatave zgjedhore. Qëllimi tryezës është më i gjerë. Është për të parë përtej fushatave zgjedhore dhe financimin e partive politike. Ka diskutime nga më të ndryshme. Problemet kryesore janë aspekti i raportimit, kufizimi i shumave, por edhe idetë që kanë ardhur nga disa institucione ndërkombëtare për të kufizuar reklamat politike, mbase edhe për ti ndaluar fare. është çështje që po diskutohet ku po shikohen pluset dhe minuset”, tha Damian Gjiknuri.

Ndërkohë, ish-ministri deklaroi se PD është e mirëpritur në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por qeveria do të komentojë propozimet e selisë blu, kur ajo t’i sjellë të shkruara.

“Ne PD presim që të vijë me propozime konkrete në procesin e reformës zgjedhore dhe kur të shohim propozime të shkruara se deri tani nuk kemi para asgjë përveç deklaratave politike do të shprehemi në lidhje me to. Për sa i përket rolit të PD prezenca e saj në tryezë është e mirëpritur”, tha Gjiknuri. /tvklan.al