PS: Nuk e pranojmë, vihet në pikëpyetje Reforma në Drejtësi

Jo vetëm qeveria teknike, por edhe propozimi i opozitës për një “moratorium” 4 -vjeçar për të përjashtuar nga procesi i Vettingut anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, është rrëzuar nga mazhoranca në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Draftin e opozitës, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e cilësoi propozim që vë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi.

“Nuk duket normale që procesi i Vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Do ishte e arsyeshme që ata që kanë kaluar Vettingun të jenë pjesë e saj dhe gjithashtu të zgjerohet edhe shkalla. Pse mos të jenë ata nga shporta nga e cila të përzgjidhet? Nuk dua që propozimet e PD-së të vendosin në pikëpyetje atë që është arritur me Reformën në Drejtësi”.

Përplasjen në tryezë për këtë çështje e konfirmoi pas takimit edhe përfaqësuesi i opozitës Oerd Bylykbashi, i cili tha se ky propozim vjen në përputhje me rekomandimin e bërë në raportin e OSBE/ODIHR-it.

“Kjo paketë është thelbësore për të arritur kompromisin në Reformën Zgjedhore. Pati një reagim shumë të fortë nga mazhoranca, e cila do që të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat me të cilët ata sot kapin gjyqësorin dhe ushtrojnë presion, përfshi edhe mbi Kolegjin Zgjedhor. Ne këtë nuk do t’ia lejojmë. Gjykatat që mbrojnë të drejtat zgjedhore duhet të jenë të pavarura në Republikën e Shqipërisë. Propozimi ynë, në asnjë rast, nuk i heq mundësinë Prokurorisë që të çojë para drejtësisë këdo që është i korruptuar”.

Në funksion të qeverisë kalimtare, opozita propozon edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga detyra 100 ditë përpara zgjedhjeve, por sërish në tryezë ky propozim u hodh poshtë, duke pranuar vetëm disa prej pikave që kanë të bëjnë me rolin e policisë në zgjedhje.

“Për sinjalizuesit po e gjejmë kompromisin, për rolin e policisë po ashtu, edhe disa propozime si ruajtja e rendit rreth qendrës edhe ato do i pranojmë. Ka disa propozime që janë garantues teknik dhe jemi gati t’i pranojmë. E përsëris, nuk ka diskutim për qeveri tranzitore, ato gjëra që nuk u arritën në luftë nuk mund t’i marrin në tryezë”, u shpreh Damian Gjiknuri.

I pyetur nëse axhenda e Presidentit Meta pas thirrjeve për shpërndarjen e parlamentit dhe tubimin e thirrur në 2 Mars mund të ndryshojë qëndrimin e opozitës për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri dha këtë përgjigje: “Unë besoj se PD është për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkëpunim me ne dhe Kuvendin. Nëse vërtet duan dhe kanë vendosur t’i kthehen institucioneve, s’ka pse PD të përfshihet në lojën e Presidentit”.

Në tryezën e Reformës  Zgjedhore opozita ka propozuar gjashtë paketa, ndërkohë që ditët në vijim pritet të sjellë edhe draftin e saj për financimin e partive politike.

Tv Klan