Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi këtë të mërkurë se reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë nga votat e blera.

Gjatë një konference për mediat, një ditë pas dakordësisë që u arrit mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore, kreu i selisë blu tha se parlamenti vetëm sa do të noterizojë marrëveshjet që do të dalin nga tryeza e përbashkët.

Qëllimi i nisjes së këtij procesi është kthimi i lirisë së votës, tha Basha.

“Faktet janë këto, reforma zgjedhore nuk do diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudo opozita e blerë me votat e oligarkisë dhe krimit. Parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet që do të dalin nga tryeza. Këto janë kushtet që opozita vendosi në Tetor pas kushteve të Bundestagut. Jam për të garantuar qytetarët shqiptarë, demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, trishtuar e dëshpëruar nga metamorfoza e partisë së tyre, e në veçanti rininë shqiptare se procesi që do të nisi ka një dhe vetëm një qëllim, të kthejë lirinë e votës, të kthejë mundësinë që çdo shqiptar përmes votës së tij të vendos parlamentin që do, kryebashkiakët që do siç ndodh në Kosovë, RMV dhe në rajon”, tha Basha.

Basha tha se nuk po e bën këtë betejë për karrigen e tij, por për t’i kthyer shqiptarëve mundësitë dhe liritë për të jetuar në vendin e tyre.

“Kjo betejë nuk bëhet as për karriget tona, as për fatet tona politike. Mandatet i dogjëm për t’i treguar botës se këtu demokracia ishte në grahmat e fundit. Sakrifica e mandateve të djegura, moslegjitimimi i farsës së 30 Qerrhsorit solli atë që çdokush mund ta konsideronte të pamundur, vetëdijësimin e Perëndimit se Shqipëria ka nevojë për vëmendje dhe ndihmë, për t’u kthyer shqiptarëve mundësitë, lirinë për të vendosur me votë, për të jetuar me nder në vendin e tyre”, tha Basha.

Ditën e djeshme, bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari u ulën në një tryezë sëbashku me ish-deputetin Oerd Bylykbashi dhe nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili.

Pas një takimi që zgjati 60 minuta u ngrit një marrëveshje që parashikon krijimin e një Këshilli Politik me përfaqësues të mazhorancës, opozitës parlamentar dhe asaj joparlamentare.

Puna e Këshillit do të asistohet nga përfaqësues të OSBE-së, asistenca e të cuilëve do të kërkohet në momentin që palët nuk gjejnë dakordësi për çështje të caktuara./tvklan.al