Dialog për të ulur tensionet për ishujt e Egjeut, por edhe për Qipron. Angazhimin për këtë e shprehën në takimin mes tyre, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Aleksis Cipras, i cili mbrëmjen e të martës nisi vizitën historike dy ditore në Ankara.

Në konferencën për shtyp, Aleksis Cipras tha se dialogu synon t’i japë zgjidhje mosmarrëveshjeve dypalëshe për shelfin kontinental që shpesh herë ka çuar në përplasje ushtarake mes Greqisë dhe Turqisë në Egje.

Ndërsa Rexhep Taip Erdoan i kërkoi shefit të qeverisë greke më tepër bashkëpunim për riatdhesimin e 8 ushtarakëve turq të arratisur në Greqi, të cilët Ankaraja i akuzon si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit të Korrikut 2016.

Për Ciprasin, shqetësimi i kreut të shtetit turk është i drejtë, por ai e ka të pamundur të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë greke. Në ditën e dytë të vizitës, Cipras do të takohet me Patriarkun ortodoks të Stambollit Bartoleme i parë.

Tv Klan