Kryeministri grek Aleksis Cipras premton se do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Një mbështetje që është rrjedhojë e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e problemeve të së kaluarës.
“Jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë. Një marrëveshje që do të zgjidhë dallimet kritike dhe do të çojë në votën tonë për hapjen e e negociatave të pranimit të vendit tonë fqinj në BE”.
Komentin e bëri gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet publike, pas takimit që pati me krerët e partive kryesore politike të vendit, të cilët i informoi për arritjet në procesin e zgjidhjes së problemeve me fqinjët, kryetemë edhe e diskutimeve në Davos. Cipras tha se për normalizimin e marrëdhënieve me Tiranën, ka konsensusin e të gjitha partive politike greke.
Këtë çështje, Aleksis Cipras e diskutoi edhe në Forumin Ekonomik të Davosit me homologun shqiptar Edi Rama. Kryeministrat ranë dakord që në përfundim të dialogut mes dy vendeve të nënshkruhet në pranverë Dokumenti i Partneritetit Strategjik në Tiranë. Ky rast që do të shënojë edhe të parën vizitë të Aleksis Ciprasit në Shqipëri.
Deri më tani, delegacionet e dy vendeve të angazhuara në këtë dialog, të kryesuara nga ministrat Bushati e Kocias zhvilluan dy takime në Kretë dhe Korçë.
Se cilat janë çështjet e renditura për zgjidhje, kjo nuk bëhet e ditur. Nuk dihet se në ç’pikë ka arritur dakordësia për të paktën 2 çështjet me interes kombëtar si Ligji i Luftës apo një marrëveshje e re për hapësirën detare.
I vetmi zhvillim janë gërmimet në Dragot për nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës me italianet në 1940-ën. Eshtrat do të varrosen në memorialet që do të ngrihen në Bularat dhe Këlcyrë.
Tv Klan