Alexis Tsipras udhëtoi drejt Brukselit për Samitin e BE, duke lënë pas një sërë problemesh të brendshme, që rrezikojnë ta fusin Greqinë në një krizë të vërtetë politike.

Kryeministri telefonoi të mërkurën homologun maqedonas Zaev, për ta siguruar se marrëveshja e Prespës qëndron në këmbë edhe pas dorëheqjes se ish-ministrit të Jashtëm.  Edhe Departamenti i Shtetit reagoi duke falenderuar Nikos Kotzias për punën e bërë në çështjen e emrit, duke kërkuar përmbylljen sa më shpejtë të saj.

Mediat në Greqi shkruajnë se Tsipras mund t’i kërkojë parlamentit një mocion besimi. Një lëvizje që shihet edhe si shenjë për të treguar se koalicioni qeverisës është i shëndoshë dhe nuk ka përçarje, sic deklaroi zëdhënësi i qeverisë.

“Kryeministri nuk ka qenë asnjëherë në dilemën Kotzias apo Kamenos. Ai ka një objektiv specifik, ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Mesazhi i tij ishte ishte i qartë se nuk do të tolerojë asnjë provokim që synon destabilizimin e qeverisë dhe asnjë bilingulizëm në çështjet e politikës së jashtme”.

Mbetet i paqartë dialogu me Shqipërinë për çështjen e detit, ku ish-ministri grek ka patur një rol thelbësor. Mediat shkruajnë se për momentin marrëveshja me Tiranën është e ngrirë.

Nikos Kotzias dha dorëheqjen një ditë më parë pas përplasjeve të forta që kishte patur me ministrin e Mbrojtjes Panos Kamenos, i cili e akuzoi se është një njeri i George Soros dhe për abuzim me fondet.

Tv Klan