Moment gëzimi dhe jo trishtimi për Nikos Kotzias e quajti kryeministri grek Aleksis Cipras largimin e ministrit të Jashtëm nga zyra ku shërbeu për më shumë se 3 vjet e gjysmë. Kjo pasi sipas tij Kotzias ikën me të paktën dy suksese, miratimin nga parlamenti maqedonas të ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit dhe marrjen e dritës jeshile nga Komisioni Europian për buxhetin e vitit që vjen, ku për herë të parë në 8 vite nuk imponohen shkurtime në paga e pensione. Para se të linte zyrën Kotzias e pa me vend të jepte shpjegime mbi disa publikime që theksonin se me fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme janë shpenzuar 1 milionë euro për financimin e mediave në Shqipëri e Maqedoni.
“Nëse është e vërtetë gjithçka që thuhet është sikur t’u tregojmë të huajve se nuk jemi seriozë. Ne bëmë një ligj të posaçëm për fondet sekrete të cilat kontrollohen dhe miratohen nga një këshill dhe shkojnë drejtpërdrejt në parlament”.
Kryeministri Tsipras ishte edhe më i drejtpërdrejtë kur drejtoi gishtin mbi segmente të medias dhe opozitë.
“Debati që është hapur ditët e fundit nga opozita dhe një pjesë e medias synon pikërisht të godasë transparencën me fondet e ministrisë së jashtme. E ftoj kryetarin e opozitës të vijë në zyrën time dhe ta informoj sesi shpenzojmë çdo euro të taksapaguesve grekë”.
Teksa bëri një panorama të politikës së jashtme kreu i qeverisë greke u ndal në marrëdhëniet e Greqisë me vendet e Ballkanit dhe posaçërisht me Shqipërinë ku theksoi se janë vënë shinat për marrëveshjen e detit.
“I kemi dhënë shtysë integrimit europian të Shqipërisë duke vendosur bazat për zbatimin e marrëveshjes së zonave detare dhe ligjit të minoriteteve, ndërsa varrosëm për herë të parë të heronjve tanë të luftës së dytë botërore”.
Arsyet e largimit si ministër i Jashtëm, Kotzias i ka shpjeguar me një letër të gjatë 9 faqëshe të cilën kryeministri tha se nuk do ta bëjë publike.
Tv Klan