Kurti: Do kërkojmë hetim ndërkombëtar

Kjo është Asra Dehari, e cila ka ardhur të vendosë lule te varri i babait të saj Astrit Dehari, të cilin nuk arriti ta njohë kurrë në tre vjetorin e vdekjes së tij.

Astrit Dehari është gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta në qendrën e paraburgimit në Prizren, ndërsa rasti u cilësua si vetëvrasje.

Në mesditë qytetarë të shumtë, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu për marshin protestues pas gjetjeve të institutit të pavarur të Lozanës se gjasat për vetëvrasjen të Deharit janë minimale.

“Familjarë, qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ja kanë mësyrë prokurorisë për të kërkuar drejtësi për rastin Dehari”, raporton gazetarja Blerta Dalloshi Berisha.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se për vrasjen e Deharit duhet një hetim i ri ndërkombëtar profesional, i pavarur dhe i paanshëm.

Në përkrahje të familjes Dehari protestës i është bashkuar edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni Zijadin Sela.

Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, është gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta para tri vitesh në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për një sulm që kishte ndodhur ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Tv Klan