Priske: Është i jashtëzakonshëm, u përshtat shpejt

Indrit Tuci realizoi golin e parë dhe dha asistin e parë te Sparta Prague në një ndeshje që vendosi kualifikimin në fazën e 1/8 të Europa League.

Sulmuesit shqiptar iu deshën pak minuta për të bërë mrekullinë përballë Galatasaray, sfidë që përfundoi me rezultatin 4 – 1.

Tuci hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 74’ dhe përmbysi ndeshjen në favor të ekipit çek, duke marrë edhe vlerësimet e trajnerit Brian Priske.

Brian Priske: Jam shumë i lumtur për Tucin. Ai është një djalë i jashtëzakonshëm, i cili erdhi në merkaton e Janarit dhe u përshtat shpejt. E kam zhgënjyer në disa raste si në kampionat dhe kupat e Europës duke mos e aktivizuar që nga minuta e parë. Por gjithmonë më ka thënë pa problem trajner, unë do të luaj kur të ma kërkosh edhe pak minuta dhe ky është mentalitet i paçmueshëm.

Indrit Tuci është përzgjedhur si kandidat për lojtarin e javës një anketë që zhvillohet në faqen zyrtare të UEFA-s. Në këtë ndeshje një tjetër asist dha mesfushori Qazim Laçi, i cili është kthyer në një pikë referimi te Sparta Prague.

Tv Klan