Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se po shkohet drejt përfundimit të punimeve në tunelin e Murrizit. Në një bashkëbisedim “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale, Rama beson se në Mars, ky tunel do të jetë gati.

Edi Rama: Ndodh që nganjëherë të marrim më shumë kohë nga se është parashikuar, si për shembull Rruga e Arbrit, por jo për shkak se i lëmë gjë mangët punëve, por të papriturat ndodhin. Gjeologjia e tunelit të Murrizit doli shumë më e ndërlikuar nga se ishte paraparë në studime. Jemi në kushtet kur po shkojmë drejt përfundimit pas një riarmatimi të të gjithë pjesëve të tunelit dhe besoj shumë se në Mars do ta heqim edhe këtë sy të keq nga shpina sepse realisht, ai tunel na ka marrë shpirtin. Dibranët do të mund të vijnë me rrugën tërësisht të hapur dhe ato rropirat pak të vështira të rrugës alternative për lehtësi të përkohshme, do të marrin fund.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka risjellë në vëmendje vendimin e qeverisë për bonusin e pranverës për të gjithë pensionistët.

Edi Rama: Duke ju përsëritur pensionistëve që bonusi i pranverës është në dispozicion në bazë të vendimit të marrë të qeverisë të datës 9 Janar dhe duke ju thënë të gjithëve që ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë gjithçka themi. Vendimin e qeverisë për dhënien e bonusit për pensionistët që lëvrohet duke nisur nga data 1 Mars. Sipas premtimit, bonusi është 62 milionë Euro. Nuk janë pak për buxhetin e Republikës. Për ata që marrin deri në 200 Euro do të jetë 100 Euro bonus. Për ata që marrin më shumë se 200 Euro, bonusi do të jetë 50 Euro. Nga 1 Marsi në vijim, pensionistët do të tërheqin bonusin e pranverës. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.  

/tvklan.al