Një gjykatë në Tunizi dënoi një grup politikanësh të lartë, biznesmenësh dhe avokatësh me burg me akuzën e terrorizmit.
Të pandehurit morën dënime që shkonin deri në 66 vjet burg. Mes tyre është edhe lideri i Frontit të Shpëtimit Kombëtar, koalicionit kryesor opozitar, i cili u arrestua që në vitin 2023.
Grupet për të drejtat e njeriut e kanë përshkruar gjyqin ndaj tyre si një përpjekje për të “mbytur opozitarizmin”. Një avokat mbrojtës tha se gjyqi ishte një “farsë”.
Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, pezulloi parlamentin pasi u zgjodh në vitin 2019. Vitin e kaluar ai fitoi një mandat të dytë, pasi u burgosën rivalët dhe disidentët e tij.
Në rastin në fjalë, 40 të pandehur u akuzuan për konspiracion kundër sigurisë së shtetit dhe pjesëmarrje në grup terrorist. Shumica e tyre u larguan nga vendi dhe u gjykuan në mungesë.

Ndërsa në burgim u dënuan liderët e Frontit, Issam Chebbi dhe Jawhar Ben Mbraek. Atyre iu dhanë dënime me nga 18 vite burg.
Kamel Eltaief, aktivist dhe biznesmen, u dënua me 66 vite burg. “Ky nuk është vendim gjyqësor, por dekret politik i ekzekutuar nga gjykata”, tha ish ministri Kamel Jendoubi, ish-ministër që u gjykua në mungesë.
“Nuk kam dëshmuar kurrë një gjyq si ku. Është një farsë”, tha avokati mbrojtës Ahmed Souab.
Tunizia është vendi nga ku nisi një valë protesta pro demokracisë në botën arabe në fund të vitit 2010, e njohur si Pranvera Arabe. Që prej asaj kohe, vitin e kaluar Tunizia mbajti zgjedhjet e treta presidenciale.
Amnesty International ka denoncuar një rënie shqetësuese të të drejtave thelbësore nën qeverisjen e Saied. Ndërsa ky i fundit ka mohuar kritikat duke thënë se po lufton elitën e korruptuar dhe tradhtarët./tvklan.al