“Një vit tjetër pa sezon turistik, nëse nuk merren masa”

Nisja e vitit 2021 nuk po sjell më shumë shpresë për sektorin e turizmit, ku shumica e tur-operatorëve në Shqipëri kanë pezulluar aktivitetin, duke rihapur një sezon pa asnjë rezervim.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, hyrjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë në territorin tonë ranë me 41.5% krahasuar me një vit më parë. Bizneset e këtij sektori thonë se shifrat janë pesimiste nëse krahasohen edhe me 2019-n, ndërsa për nisjen e pranverës asnjë agjenci nuk ka treguar interes për prenontime.

“Shifrat janë me keq sepse ne i krahasojmë me vitin 2019-ë ku nuk kishim as efekte nga tërmeti. Tani nis sezoni i pranverës dhe nuk kemi asnjë rezervim për grupet që nisnin vizitat për turizmin kulturor.”

Agjencitë turistike kërkojnë që qeveria të futë në axhendën e vaksinimit prioritar edhe stafet që i shërbejnë turistëve, njësoj siç po bën Greqia, në mënyrë që të kompanitë dhe hotelet këtu të kenë se çfarë të ofrojnë.

“Të paktën t’u themi që mund të vini sepse përballjen e parë me ata që shërbejnë në aeroport, shofer autobusi, kamarier, i keni pa rrezik infektimi.”

Në të kundërt shpresat e vetme për nisjen e ardhjes së turistëve mbeten për në vjeshtë.

“Nuk mund të themi që dhe ky vit do të ketë sezon me turistë të huaj. Vendet që vijnë në Shqipëri janë mbrapa me vaksinimin.”

Pjesa më e madhe e stafeve të agjencive turistike janë shkurtuar. Në janar, të vetmet shtete që kanë patur hyrje të turistëve në vendin tonë janë Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Tv Klan