Një çift turistësh belgë kishin humbur prej 20 orësh në një zonë të thellë të Himarës pasi kërkonin të eksploronin turizmin malor. Ata njoftuan policinë rreth orës 15:30 të enjtes, duke kërkuar ndihmë. Rreth 15 forca policore u angazhuan për gjetjen e çiftit belg. Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.

Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e tyre gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës. Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave.

Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e Policisë. Fatmirësisht turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u transportuan në hotelin e tyre.

/tvklan.al