Gjiret e vogla idilike të Dhërmiut janë pushtuar nga turistë të ardhur nga e gjithë bota. Është Edicioni i dytë i Festivali Ndërkombëtar të Muzikës, Kala Fest, që ka afruar 5000 të rinj.

Përshtypjet e mira të edicionit të parë të Kala Festival e kanë bërë Vivienin nga Anglia që të rikthehet.

“Kjo është hera e dytë që vij për Kala Festival. Një mrekulli. Më pëlqen që këtë vit janë ndërtuar disa skena përgjatë bregdetit. Do ta përsërisja këtë eksperiencë pa pushim dhe do ta rekomandoja edhe për të tjerët.”

Të shumtë janë ata që vijnë për herë të parë.

“Jam nga Anglia. Nuk prisja të më pëlqente kaq shumë Shqipëria. Festivali është i shkëlqyer, natyra fantastike, si dhe muzika, deti e ushqimi”.

“Vij nga New Yorku. Kala festival është i ngjashëm me festivalet që organizohet në Amerikë. Kemi eksploruar disa vende të reja gjatë këtyre ditëve”.

Festa nis si me komandë me perëndimin e diellit, për të vijuar përgjatë gjithë natës.

“Sapo i jemi afruar mesnatës dhe festa është në kulmin e saj. 60 DJ nga e gjithë bota kujdesen t’ju ofrojnë muzikën më të mirë bashkëkohore”.

Një erë e re për turizmin e cilëson ministri Klosi pjesëmarrjen e 5000 të rinjve europianë në Kala Fest.

“Është një nga 10 festivalet më të bukura të organizuara në Europë. Vitin tjetër do të organizojmë të paktën 7 festivale rinore në Shqipëri, që Shqipëria të përmendet si një destinacion për të rinjtë.

Organizatorët e Festivalit thonë se Dhërmiu është një biletë suksesi për Festivalin, por po aq edhe ekonominë e zonës, me miliona euro të shpenzuara në vetëm pak ditë.

“Bregdeti i Dhërmiut është vendi perfekt për festivale. Kudo që shkojmë ne bashkëpunojmë me biznesin vendas, hotelet, baret, restorantet, janë të gjitha plot, çka i sjell ekonomisë përfitime gjigante. Nuk mund të them ekzaktësisht, por janë shpenzuar rreth 4-5 milion Euro nga kjo”.

Edhe vitin e ardhshëm, destinacioni i këtij festivali do të mbetet Dhërmiu.

Ndryshe nga viti i kaluar Kala Fest do të këtë 2 faza, nga 12 Qershor deri më 19 Qershor dhe faza e dytë që nis mbrëmjen e 20 Qershorit deri më 25 Qershor.

Tv Klan