Për shkak të rregullimeve që po u bëhen kalldrëmeve në Gjirokastër numri i vizitorëve dhe i turistëve është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë ata që ndodhen këto ditë në këtë qytet të gurtë thonë se kanë gjetur vërtet diçka të bukur.

Nuk ka aq të huaj sa Gjirokastra të duket në kulmin e sezonit. Grupet e vogla lëvizin përmes gurëve dhe punëtoreve në Qafën e Pazarit. Aty po investohet por kjo i ka kushtuar këtij qyteti 900 turistë më pak se në të njëjtën kohë në sezonin e kaluar

“Jam nga Izraeli. Është hera e parë që vizitojë Gjirokastrën. Kështjella është shumë e bukur. Në këtë qytet aktualisht po ndodhin rikonstruksione në rrugë, dhe mendoj se dhe kjo është pjesë e historisë. Sa i takon ushqimit ne nuk mund ti shijojmë sepse jemi hebre dhe kemi ushqimet tona të veçanta. Duhet të kemi kujdes kështu që kemi marrë ushqim me vete”.

As Drejtori Rajonal i Kulturës Vasil Polo nuk është i kënaqur me vizitorët në resurset e Gjirokastrës. Por ai pret një sistemim të shpejtë të qytetit dhe ritme të mirë të turizmit.

Kalaja dhe Parku i Antogonesë janë dy prej pikat më të pëlqyera për të huajt. Këtu vijnë nga Italia, Republika Çeke, Izraeli, Polonia madje Kina dhe Japonia e Largët.

“Jemi turistë italianë është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Mikja jonë që po na shoqëron është shqiptare, është ajo që na solli në këtë realitet dhe është shumë bukur. Shqiptarët kanë një shpirt të bukur janë njerëz zemërgjerë, të gatshëm. Gatuani ushqime të ndryshme por gatuani shumë mirë, shumë të shijshme”.

“Është hera e parë që vizitojë këtë vend. Qoftet dhe gjirot më kanë pëlqyer shumë këtu. Natyra dhe pjesë e vjetër e qytetit do të më bënin të rikthehesha sërish sepse vendi këtu është shumë i bukur. Unë jam fotograf dhe më pëlqen këtu”.

Turizmi është një nga burimet kryesore të valutës në Shqipëri. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 1 miliard e 850 milionë euro të ardhura bruto nga turizmi.  Pjese e saj janë dhe të ardhurat nga Gjirokastra.

“ Jam nga Republika Çeke dhe është hera e parë që vizitojë këtë qytet. Çdo gjë në Gjirokastër më pëlqen. Njerëzit janë shumë  miqësor. Këtu kam provuar vetëm kafen”.

“ Njerëzit janë shumë të mrekullueshëm, këndshëm dhe e kemi shijuar këtë udhëtim veçanërisht prej tyre. Edhe unë jam nga Izraeli. Jam e sigurt që pas 5-10 vitesh do të jetë shumë e nevojshme për turizmin dhe do të vija sërish. Historia është shumë e veçantë, ka vende specifike është shumë i këndshëm dhe pastër këtu”.

Në qytetin e gurtë sikurse edhe në zona të tjera turistike, ka patur anulime të rezervimeve për shkak të situatës politike në vend. Operatorët po mendojnë strategji të reja për të joshur sërish të huajt./ABC News Albania 24/7