Kryesojnë listën e vizitorëve në 3 rajone të Greqisë

“Turist shqiptar” ka qenë një batutë e zakonshme në Greqinë e viteve 90’, drejtuar kryesisht emigrantëve shqiptarë të mbërritur në vendin fqinj. Sot, si për për ironi të fatit, turistët shqiptarë në Greqi janë një fakt dhe një e dhënë reale kontribuese për sektorin e turizmit.

Një studim i Institutit të Kërkimeve të Shoqatës së Biznesit Grek të Turizmit, bazuar në të dhënat e Bankës së Greqisë për vizitorët e huaj në vitin 2018, i rendit shqiptarët në vendin e 10 në listën e vizitorëve të Greqisë, duke tejkaluar serbët dhe turqit që kanë pësuar rënie në krahasim me 2017-ën.

Siç paraqitet edhe në një hartë, zona më e frekuentuar nga turistët shqiptarë është veri-perëndimi i Greqisë, si edhe qyteti i Patras më poshtë në perëndim. Sipas të njejtit studim, numri i shqiptarëve që pushojnë në Greqi, për herë të parë ka mbërritur shifrën rekord prej më shumë se 1 milion turistë.

Ndonëse të pakrahasueshëm në nivel jetese me Gjermaninë dhe Bullgarinë, të ardhurat nga turistët shqiptarë janë rreth 10 milionë Euro në veri të Greqisë, po aq sa gjermanët dhe bullgarët, ndërsa në perëndim të vendit shqiptarët kryesojnë me 29 milionë Euro, duke lënë pas pikërisht gjermanët me 26 milionë.

Në një panoramë të përgjithshmë, prurjet turistike nga vendi ynë mbeten simbolike krahasuar me gjenerimin e plotë të ekonomisë greke nga turizmi. Megjithatë kontributi i “turistit shqiptar” nuk është më një shaka.

Tv Klan