Policia e Shtetit dhe Ministria e Shëndetësisë i shkojnë në ndihmë

Autoritetet policore sëbashku me ato të Ministrisë së Shëndetësisë i erdhën në ndihmë një turisti çek, i cili këtë të shtunë u rrëzua me motoçikletë në përroin e Cirovës, në zonën malore të fshatit Rinas të Librazhdit.

Sipas policisë, rreth orës 19:00, një grup turistësh çekë po përshkonin me motor rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin. Njëri prej tyre, 53-vjeçari R.K, humbi kontrollin e motoçikletës dhe doli nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës.

Turistët njoftuan sallën operative të Librazhdit dhe menjëherë në drejtim të tyre u nis një patrullë policie dhe autoambulanca.

Por si pasojë e terrenit të vështirë, transportimi me autoambulancë ishte i pamundur dhe në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit komunikoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të dërguar një helikopter.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes, helikopteri bëri të mundur transportimin në kohë për në Spitalin Ushtarak të shtetasit çek, i cili pësoi fraktura në trup, por jashtë rrezikut për jetën.

Ambasada çeke në Tiranë dhe grupi i turistëve falenderuan Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për reagimin në kohë, duke i shpëtuar jetën turistit./tvklan.al