Një episod i shëmtuar ka ndodhur me një familje shqiptare nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, të cilët kishin vendosur të kalonin pushimet në Shqipëri.

Kryefamiljari ka denoncuar pranë tvklan.al faktin se makina e tij është vandalizuar nga persona të panjohur. Ai së bashku me familjen ndodheshin me pushime në Durrës të Golemit. Por, janë shokuar kur panë se automjeti i tyre kishte pësuar dëmtime në pjesën e përparme dhe të gërvishtura nëpër dyer.

Makina ka qenë e parkuar, shprehet qytetari, duke sqaruar se për këtë ngjarje ka bërë edhe denoncim në polici. Por, deri më tani nuk është gjetur asnjë fajtor për këtë incident të pakëndshëm. Sikurse duket në videon e dërguar pranë rubrikës “Kallëzo” në tvklan.al, makina e familjes nga Gostivari ka goditje në pjesën e parakolpit, dëmtim i shkaktuar në rrethana të paqarta.

Nuk mjafton vetëm kaq, por keqbërësi ka gërvishtur edhe pjesën anësore të mjetit, çka do të thotë se është një veprim i qëllimtë dhe jo aksidental. Denoncuesi kërkon që të gjendet autori i kësaj ngjarje, në mënyrë që të mos dëmtojë edhe automjetet e të tjerëve. /tvklan.al