Jo vetëm për vijën bregdetare, por të huajt që vijnë në Shqipëri kanë kuriozitet edhe për historinë, kulturën, kulinarinë dhe resurset natyrore. Elbasani është një ndër qytetet që ofron një gërshetim të këtyre llojeve të turizmit.

“Stacioni i parë i gjithë turistëve është Kalaja e Elbasanit dhe Muzeu Etnografik. Duke marrë një hartë të Elbasanit, sipas guidave që ata kanë, lëvizin në vende atraktive, siç është Bysheku, Gjinari, apo kishat…”, thotë Kliton Kapaj, Drejtor i Arsimit, Kulturës, Trashëgimisë dhe Turizmit në Elbasan.

Me rritjen e interesit të turistëve për ta vizituar Elbasanin, synimi i bashkisë është që ata jo vetëm të bëjnë shëtitje të shkurtra në qytet, por të qëndrojnë më gjatë.

“Tendenca jonë dhe fokusi që ne kemi për turizmin përmes trashëgimisë kulturore dhe resurseve është që ta shtrijmë më tej dhe mundësisht turisti të kalojë një ditë në Elbasan”, shton Kapaj.

Në funksion të zhvillimit të turizmit, sipas Bashkisë në Elbasan, janë në proces disa projekte, si restaurimi i Muzeut Etnografik, Galeria e Artit, Shtëpia e Kostandin Kristoforidhit, Muzeu i Arsimit (Normalja e Elbasanit), si dhe shtëpia e Lef Nosit.

Tv Klan