BSH: Dobësimi i Euros ndihmoi në rënien e inflacionit, kreditimi po financon investimet

Ekonomia shqiptare po shfaq një ecuri pozitive teksa sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e pagave dhe kontributi që turizmi i dha ekonomisë ka krijuar kushte të favorshme për zgjerim të investimeve.

Në prezantimin e raportit të politikës monetare, Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli bëri të ditur se kjo situatë po kontribuon në rënien e mëtejshme të inflacionit.

“Rritja ekomonike ka pasur një mështetje të fortë nga aktiviteti i turizimit. Paralelisht në tregun e punës, kemi pasur sinjale pozitive, si për sa i takon rritjes së punësimit, ashtu edhe rritjes së pagave në sektorin privat.”

Nga ana tjetër, rritja me 10.2% e aktivitetit kreditues duket se i ka bërë bankat e nivelit të dytë më akomoduese në raport me individët dhe sipërmarrjet private, në fokus të së cilave mbeten investimet në turizëm e ndërtim.

“Ky kujdes që ne kemi shfaqur në normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, ka ruajtur një ambient financiar stimulues dhe ka plotësuar nevojat e bizneseve për fondet për zgjerimin e investimeve apo për mbulimin e nevojave të përkohshme me likujditet.”

Nga ana tjetër, vrojtimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se presionet e jashtme që lidhen me ndryshime në situatën globale, çmimet e naftës dhe ushqimeve por dhe luhatja e tregut të punës mbajnë ende të pranishëm rrezikun për rritjen e inflacionit.

Tv Klan