Turizmi dhe problemet e tij

Turizmi dhe problemet e tij

Autori: Blendi Fevziu

23:50 21/09/2009

Javën e kaluar Shqipëria mbylli zyrtarisht sezonin turistik veror. Ndryshe nga frika e muajit Qershor dhe dy javëve të para të Korrikut, numri i turistëve u rrit ndjeshëm dhe përfitimet prej tij po ashtu. Më shumë sesa të dhënat e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Turizmit, rritja dallohej në shtimin e madh të trafikut nga Shëngjini në Sarandë.

Por a ka ndikuar në rritjen e turizmit, industrisë më të madhe në vend, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe kushteve? A është turizmi shqiptar një turizëm serioz, si ai që ofrojnë vendet pranë nesh? Përgjigja është fare e thjeshtë, jo.

Veç avantazhit që vjen nga turizmi shqiptar, i Kosovës dhe i Maqedonisë, që ne jo rrallë herë e quajmë turizëm patriotik, Shqipëria ka bërë pak ose aspak për të rritur cilësinë e turizmit të saj.

Në shumë raste çmimet janë të larta dhe ato që i ofrohen të huajve janë të ndryshme nga çmimet që iu ofrohet shqiptarëve. Vendi po mbytet nga plehrat dhe prania e tyre në çdo anë rrugë, e bën peisazhin më të trishtueshëm.

Muzika e lartë në çdo lokal dhe disko le shpesh turistët pa gjumë deri në orët e para të mëngjesit. Jet ski-të që fluturojnë fare pranë bregut kërcënojnë jetën e fëmijëve dhe notarëve. Ndërsa pastërtia e dhomave dhe shërbimi i hoteleve lë shumë për të dëshiruar. Pothuajse në të gjitha plazhet mungojnë parkingjet dhe tualetet publike.

Mbi të gjitha, Shqipëria ende nuk ka zgjedhur modelin turistik që do të ofrojë, me përjashtim të zonave masive të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit apo Velipojës. Ka një ide që jugu, nga Dhërmiu deri në Sarandë, të ndërtojë një turizëm familjar apo elitar, por ende nuk ka ndonjë ide sesi do të ngrihet kjo.

Po kështu, në të gjithë bregdetin prej afro 400 km, ka vetëm 2 hotele të një standarti të lartë, ndërkohë që faciliteti i rezervimeve në internet është thuajse minor ose nuk respektohet. Shqipëria nuk ka transport të brendshëm të rregullt dhe turistët që duan të shëtisin Shqipërinë nga veriu në jug, duhet të përballen me tekat e furgonëve dhe me mungesën absolute të orareve dhe vendtakimeve.

Ka shumë probleme që mund të renditen në këtë drejtim, por ka më shumë rëndësi që për turizmin të flasim gjithë vitin dhe jo vetëm kur afrohet sezoni i tij.

PëPër të diskutuar rreth turizmit shqiptar dhe problematikën e tij, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Mesila Doda, Grida Duma, Fatos Lubonja, Andi Bejtja,  Artan Lame dhe Besnik Aliaj./tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:50 21/09/2009

Grupi

Kallezo