Mund të shkaktojë 560 miliardë USD humbje

Teksa frika për koronavirusin rritet, industria e turizmit në mbarë botën është në prag të një krize të thellë. Sipas Shoqatës Botërore të Udhëtimeve nëse paniku kolektiv do të vazhdojë të kufizojë lëvizjen e njerëzve, do t’i kushtonte kësaj industrie 46.6 miliard në muaj dhe afro 560 miliardë dollarë humbje në vit.

Edhe për kompanitë turistike në Shqipëri situata duket e jo e mirë. Nëse vitet e kaluara rezervimet për festat e marsit mbylleshin disa javë më herët, kete vit kanë rënë thuajse 0.

“Lëvizjet kanë qenë 10 ose 20 herë më pak se lëvizjet e përvitshme të turistëve shqiptarë që shkojnë jashtë vendin këtë periudhë. Kanë filluar edhe anulimet e udhëtimeve të turistëve të huaj drejt Shqipërisë. Janë në faze anulimesh apo pezullimesh të pagesave”, tha Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur Operatorëve.

Mijëra fluturime dhe rezervime të paketave turistike pezullohen çdo ditë nëpër botë. Së fundmi është Britania e Madhe, e cila, pas viktimës së parë nga koronavirusi ka njoftuar anulimin e 25% të fluturimeve me destinacion Italinë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Gjermaninë dhe Irlandën.

Mbi 2 mijë fluturime janë anuluar vetëm të shtunën. Nëse situata vazhdon e njëjtë, Shoqata Botërore e Transportit Ajror ka parashikuar gati 30 miliardë dollarë humbje vetëm nga kompanitë ajrore.

Tv Klan