Opinion- “Turizmi në Shqipëri” është një prej temave që është trajtuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, e cila është ndarë në katër seri. Në këto seri tregohet mënyra se si të huajt e shihnin Shqipërinë turistike të viteve më parë.

Në serinë e parë tregohet turizmi i viteve 1914-1939, ndërkohë që në pjesën e dytë trajtohet turizmi nga vitet ‘50 deri në vitet ‘70.

Gjatë komunizmit, disa të huaj nga Gjermania Lindore kishin kaluar pushimet në Shqipëri, por pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik izolimi filloi të ishte edhe më i fortë sidomos me vendet lindore. Pas izolimit të kufijve, Shqipëria komuniste filloi të zhvillonte turizmin e brendshëm, që për hir të së vërtetës ishte thuajse inekzistent. U ndërtuan pak shtëpi pushimi në Durrës.

Ndërkohë në fund të viteve 60-të ndërtimet filluan të intensifikoheshin pasi kishin mbetur vetëm shtëpitë e pushimit, të cilat iu ishin konfiskuar njerëzve të regjimit të vjetër. U ndërtuan një seri hotelesh, të cilat krijuan kompleksin turistik të Durrësit.

Ndryshe nga hotele apo shtëpi pushimi të tjera, Hotel Adriatiku nuk lejohej të përdorej nga turistët vendas, por vetëm nga të huajt. Por ndërkohë që Durrësi po konsiderohej si margaritari i turizmit shqiptar, filloi të promovohej edhe një qytet tjetër, Pogradeci.

Në Shqipërinë komuniste, e cila lidhi ngushtë marrëdhëniet me Kinën, nisën të vinin edhe turistë kinezë. Ndërkohë në kinoditaret shqiptare të gati 40 vjetëve shumë pak kronika i takonin turizmit të thjeshtë, ndërkohë pjesa më e madhe ishte propagandistike./tvklan.al