Rritet numri i të papunëve në Durrës

Sektori i turizmit po funksionin me 20 përqind të kapacitetit si pasojë e mungesës së turistëve, ndërsa katër muaj nga pandemia, afro 1 mijë biznese janë mbyllur në Durrës. Pavarësisht çarterave me turistë që kanë filluar të vijnë në vendin tonë, situata paraqitet e zymtë dhe projeksionet në vazhdimësi mbeten të njëjta.

“Nje mijë biznese, pak a shumë janë të mbyllura vetëm në periudhën e post-covid. Kur duhet t’iu rikujtoj që një pjesë e mirë e bizneseve pati probleme dhe si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti”.

Shqetësuese mbetet rritja e numrit të të papunëve, ku shumë biznese punojnë me staf të reduktuar, ndërsa ato turistike ndryshe nga sezonet e kaluara nuk kanë të punësuar sezonal duke e çuar në afro 25 mijë numrin e të papunëve.

“Kanë filluar ridimensionimin e aktivitetit, duke u përshtatur me situatat e reja. Kjo ka shkaktuar rritjen e numrit të të papunëve dhe uljen e nivelit të prodhimit”.

Efektet negative pritet të ndjehen edhe në vazhdimësi, ndaj për të shpëtuar nga thellimi i krizës biznesit i duhet një paketë e re rimëkëmbje.

Sektori i turizmit mbetet më i godituri nga pandemia, pavarësisht se qeveria i ka hapur plazhet që nga fillimi i Qershorit.

Tv Klan