Objektet e banimit janë kthyer në bujtina dhe hotele për të pritur turistët

Qytetarët e Korçës por edhe të zonave të tjera të vendit po investojnë të ardhurat e tyre në blerjen e pasurive të paluajtshme në qytetin e Korçës por edhe fshatrat turistikë.

Trendi i blerjes së shtëpive ka pësuar rritje vit pas viti dhe nuk është frenuar as nga pandemia. Blerja e shtëpive në Korçë dhe më pas dhënia e tyre me qira po konsiderohet një investim i sigurt prej të cilit burojnë të ardhura.

Zhvillimi i turizmit gjatë viteve të fundit ka rritur në masën 20% shitjen e banesave edhe në lagjet karakteristike të qytetit, të cilat janë kthyer në bujtina dhe hotele.

Interesi për blerjen e objekteve të banimit në qytetin e Korçës vijon të mbetet i lartë pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimit, kushtëzuar nga rritja e çmimit të krahut të punës, pasojë e mungesës së fuqisë punëtore si dhe materialeve të ndërtimit.

Nga ana tjetër frenimi i ndërtimeve të reja në Korçë ka detyruar blerësit që të orientohen tek ndërtesat ekzistuese, çmimi i të cilave gjithashtu ka pësuar rritje.

Klan News