Në Greqi, Slloveni e Kroaci, fushatë për “pushime të sigurta”

Rreth 100 turistë të huaj kanë rezultuar pozitivë nga koronavirusi dhe kanë hyrë në karantinë qëkur Greqia u rihap për turizëm masiv për vizitorët ndërkombëtarë, më 1 Korrik. Këta individë ishin të gjithë me kombësi bullgare, rumune dhe serbe dhe të gjithë ishin asimptomatikë. Ndërkaq në Slloveni në javën e fundit, nga 132 raste të infeksionit me koronavirus, 25 raste të të infektuarve erdhën nga jashtë, nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe nga Kosova.

Javën e kaluar, Greqia nisi një fushatë informative “Shijoni qëndrimin tuaj-qëndroni të sigurt”, duke u kërkuar turistëve të jenë të kujdesshëm ndaj rregullave shëndetësore gjatë pushimeve të tyre në vend. Me hapjen, autoritetet greke dhe Sllovenia shpresojnë që të shpëtojnë sezonin veror dhe të kufizojnë humbjet nga industria e turizmit.

Greqia ka ndaluar të gjitha udhëtimet nga Serbia, pasi numrat e infeksionit aty po rriten. Serbia është në listën e 15 vendeve që BE ra dakord të rihapë kufijtë e saj të jashtëm në 1 Korrik. Ndërkaq Athina po bën presion mbi Belgjikën që të lejoje ardhjen e turisteve në plazhet greke.

Greqia, së bashku me Qipron, Danimarkën, Mbretërinë e Bashkuar, Islandën, Portugalinë dhe Spanjën klasifikohen si “zona portokalli” në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme belge, ku ekziston rrezik i lartë nga koronavirusi. Udhëtarëve që kthehen nga këto vende u kërkohet që të bëjnë ekzaminim dhe të futen në karantinë.

Klan Plus