Gjykata: E rrahu ish-bashkëshorten 12 herë

Johnny Depp e rrahu ish-bashkëshorten Amber Heard të paktën 12 herë. Në këtë konkluzion doli këtë të hënë një gjykatës, që hodhi poshtë padinë që aktori kishte ngritur ndaj tabloidit britanik The Sun.

“Në një fitore të madhe për lirinë e shtypit, Gjykata e Lartë e Londrës vendosi se ne kishim të DREJTË që e cilësuam aktorin e “Pirateve të Karaibeve” dhunues të gruas, për sulmet ndaj ish-bashkëshortes“, shkruan The Sun.

Justice Nicol hodhi poshtë pretendimet e Depp, pasi u vërtetua se shkrimi i The Sun ishte i saktë, faktet e të cilit ishin mbështetur gjatë gjithë kohës nga Heard.

Gjykatësi konkludoi se ndjenjat e tij në drejtim të bashkëshortes gjatë marrëdhënies së trazuar 3-vjeçare, ishin përmbledhur në një tekst ku ai zbulonte se nuk kishte “mëshirë” për të.

Gjykata gjithashtu doli në konkluzionin se Depp e kishte dhunuar Heard 12 herë, që prej 2013-s, kur e kishte qëlluar me shuplakë aktoren, pasi ajo bëri një koment për tatuazhin e tij.

Përgjatë martesës së tyre, gjykatësi tha se Depp e kishte rrahur të shoqen pasi abuzonte me drogën dhe alkoolin./tvklan.al