Një vit nga tentativa për grusht shteti në Turqi, ku humbën jetën më shumë se 250 persona, autoritetet turke vijojnë fushatën e spastrimeve në administratë.

Më shumë se 7 mijë vetë, mes tyre oficerë policie, persona që punojnë në ministri apo edhe akademikë u pushuan nga puna. Po ashtu 342 ushtarakëve në pension iu hoq grada. Të gjithë këta persona akuzohen se janë pjesë e lëvizjes së imamit turk, Fetullah Gylen, të cilin Erdogan e akuzon për inskenimin e grushtit të dështuar të shtetit.

Që pas tentativës për të rrëzuar me dhunë presidentin Erdoan, Turqia ka forcuar darën e ndëshkimeve duke arrestuar 50 mijë persona, shumë prej tyre policë dhe ushtarë, si edhe ka shkarkuar në total mbi 150 mijë zyrtarë të shtetit.

Pjese e arrestimeve ishte edhe regjisori Ali Avci që e kishte trajtuar si të suksesshëm  grushtin e shtetit, në një film që përfundonte me vrasjen e Erdogan.

Vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme që prej 15 korrikut të vitit të kaluar. Erdogan tha të premten se kjo masë do të shtyhet edhe me 3 muaj të tjerë.  Gjendja e jashtëzakonshme i jep presidentit turk fuqi më të mëdha, madje duke e lejuar të kryejë arrestime masive pa marrë miratimin e organeve të tjera.

Pas referendumit të prillit, kompetencat e presidentit turk janë forcuar dhe ai mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2029. Këto zhvillime kanë polarizuar shoqërinë turke mes përkrahësve dhe kritikëve të Erdogan, që së fundmi ka acaruar marrëdhëniet me Bashkimin Europian.

/Tv Klan