Javën e kaluar vlera e monedhës turke ra me 10%, duke shënuar nivelet më të ulta historike dhe paralajmëruar një krizë ekonomike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli se lira turke ka shënuar një rënie prej 45% këtë vit, duke shkaktuar shqetësime se vështirësitë ekonomike mund t’i shtojnë edhe më tej tensionet lidhur me praninë e miliona refugjatëve në atë vend.

Ndërsa vlera e lirës binte, shumë turq u përpoqën të konvertonin kursimet e tyre në valutë të fortë. Investitorët ndërkombëtarë shitën akisonet në monedhën turke, pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan shprehu mbështetje të fortë për politikën e tij të pazakontë, për uljen e normës së interesave, në vend të rritjes së tyre për të luftuar inflacionin, që ka arritur në rreth 20%.

Në një nga tregjet kryesore të Stambollit, shumë njerëz shprehin shqetësime se kolapsi i fundit i monedhës do të rrisë më tej inflacionin dhe trazirat.

Një shitës në treg, duke kërkuar që emri i tij të mos përdorej, tha për Zërin e Amerikës se ka frikë se çmimet do të vazhdojnë të rriten.

“Kemi frikë nga rritja e çmimeve. Një produkt që e shesim për pesë lira sot, mund të bëhet gjashtë lira nesër, gjë që i frikëson klientët dhe blerësit.”

Një blerëse pajtohet.

“Po kursej paratë që kam. Po shpenzoj vetëm për gjërat e domosdoshme. Nuk dihet për të nesërmen, sa do të kushtojë buka, apo ushqimet muajin që vjen.”

Ndërsa thellohet dhimbja ekonomike në Turqi, mes rritjes së çmimeve dhe varfërisë, katër milionë refugjatë në atë vend, kryesisht sirianë, mund të jenë ndër më të rrezikuarit. Sipas një ankete të kohëve të fundit, shumica e të anketuarve duan largimin e refugjatëve.

Antipatia u shndërrua në dhunë në muajin gusht me sulmet ndaj shtëpive dhe bizneseve të refugjatëve sirianëve në Ankara.

Postimi nga sirianët i disa videove në mediat sociale, duke u tallur me turqit se nuk kishin para për të blerë banane, shkaktuan zemërim, duke çuar në ndalimin e përsonave përgjegjës. Ata janë të pritje të dëbimit.

Analisti Atilla Yasilada me “GlobalSource Partners” thotë për Zërin e Amerikës se problemet ekonomike sjellin trazira sociale.

“Kur thellohet stresi ekonomik, njerëzit përpiqen të gjejnë dikë për ta fajësuar dhe zgjedhja më e lehtë janë pakicat. Në pjesën perëndimore të Turqisë, pakicat janë refugjatët, sepse ata indentifikohen lehtësisht. Fërkimi më i vogël mund të kthehet në shpërthim masiv.”

Armiqësia ndaj refugjatëve arabë vjen ndërsa industria turke e turizmit po bëhet gjithnjë e më e varur nga turistët nga bota arabe. Shumë evropianë po qëndrojnë larg destinacioneve të njohura si Stambolli për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Tregtari Guclu Sahin thotë për Zërin e Amerikës se biznesi i tij varet nga turistët arabë.

“80% e turistëve janë nga Lindja e Mesme. Me rënien e ekonomisë humba klientelën vendase. Mund të them se biznesi im tani ka vetëm klientë arabë.”

Turistët arabë janë një burim i vlefshëm i valutës së qëndrueshme për Turqinë. Por kjo mund të vihet në rrezik, nëse armiqësia kundër refugjatëve arabë përshkallëzohet në ndjenja më të gjera anti-arabe./VOA