Projektligji i Turqisë për dezinformimin është një hap më pranë miratimit, megjithë protestat nga mediat e vendit.

Debati parlamentar për propozimin e amendamentit për ligjin për shtypin dhe ligje të tjera filloi të martën.

Qeveria turke thotë se projektligji, i sugjeruar fillimisht në maj nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe partia partnere Partia për Lëvizjen Nacionaliste (MHP), është i nevojshëm për t’u përballur me “kërcënimin serioz” nga dezinformimi.

Projektligji me 40 nene përmban ndëshkime për “shpërndarje informacioni mashtrues” për sigurinë kombëtare, rendin publik dhe shëndetin, në përpjekje për të përhapur panik apo frikë; detyrimin për kompanitë e mediave sociale të caktojnë përfaqësues turq për të përpunuar kërkesat për heqje materialesh; një komision të ri për të kontrolluar akreditimin e shtypit; si dhe një parashikim për t’u mundësuar mediave dixhitale që të marrin të ardhura nga reklamat shtetërore.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan sugjeroi fillimisht një legjislacion për dezinformimin pasi qeveria e tij u kritikua në mediat sociale për menaxhimin e zjarreve në bregdetin turk në Mesdhe dhe në Egje vitin e kaluar.

“Personalisht, nuk kam pikëpamje pozitive për mediat sociale, dhe besoj se me çeljen e parlamentit, është e nevojshme të punohet për një legjislacion të ri për mediat sociale”, tha zoti Erdogan në një intervistë televizive në gusht 2021.

Por, gazetarët paralajmërojnë se projektligji është shkruar me gjuhë të vakët dhe se mund të përdoret për të heshtur kritikët.

“Publiku do të heshtet dhe gazetarët do të vetëçensurohen. Autoçensura që ekziston tashmë, do të jetë më e kudondodhur, dhe liria e shprehjes do të mbytet plotësisht nga ky ligj”, i tha Zërit të Amerikës, Pinar Urenc, president i Këshillit të Shtypit të Turqisë.

Pavarësia editoriale

Kritikët paralajmërojnë se dispozitat në nenin 29, i cili përqendrohet në “informacionet mashtruese”, mund të përdoren për të kufizuar më tej lajmet e pavarura dhe mediat sociale ndërsa Turqia po i afrohet zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në 2023.

“Përballemi me një projekt-ligj të përgjithshëm që synon të heshtë jo vetëm mediat dixhitale dhe shtypin, por edhe disidentët përpara zgjedhjeve të vitit 2023 duke i frikësuar ata”, tha për Zërin e Amerikës Yaman Akdeniz, profesor i ligjit kibernetik në Universitetin Bilgi të Stambollit.

“Për shkak të artikujve të tyre të lajmeve, mediat do të përballen me hetime për veprën penale të dezinformimit dhe gazetarët do të ndiqen penalisht”, tha zoti Akdeniz.

Kemal Aktas, kreu i Shoqatës së Korrespondentëve Parlamentarë, ngriti shqetësimet se projektligji mund të vështirësonte raportimin politik dhe qasjen tek burimet.

“Ligji përmend termat e ‘rendit publik, sigurisë kombëtare dhe shëndetit publik’, por është e paqartë se ku fillojnë dhe ku mbarojnë këto terma”, tha zoti Aktas për Zërin e Amerikës. “Për shkak se nuk dihet se si do t’i vlerësojë një prokuror apo një gjykatës këto terma, mendojmë se do të ketë vështirësi të mëdha në mbulimin e lajmeve politike”.

Themeluesja e kanalit Yeniden TV, Aysegul Dogan, tha se projektligji rrezikonte të dëmtonte pavarësinë editoriale të gazetarëve.

“A do të mbulojmë lajme dhe do të bëjmë pyetje duke menduar: “Nëse shkruaj kështu apo pyes kështu, a do të krijoj ankth, panik apo frikë?” Ne po flasim për një rregullim ligjor që duhet të shqetësojë të gjithë ata që përdorin mediat sociale, po aq sa gazetarët”, i tha zonja Dogan Zërit të Amerikës, duke shtuar se kjo mund të prekë edhe gazetarët qytetarë.

Ahmet Ozdemir, deputeti i AKP-së në pushtet për qytetin Kahramanmaras, i hodhi poshtë kritikat, duke thënë se dispozitat në nenin 29 nuk kanë “aspak të bëjnë” me gazetarët.

“Përse një anëtar i shtypit do të përhapte me vetëdije dhe vullnet lajme të rreme në publik? Përse do të dëmtohej reputacioni i tij? Nuk është teknikisht e mundur që një anëtar i shtypit të jetë subjekt i kësaj vepre penale”, tha zoti Ozdemir gjatë debatit parlamentar.

Në një tjetër aktivitet, Fahrettin Altun, drejtor i komunikimit i presidencës turke, foli më gjerësisht në një simpozium të martën mbi nevojën për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve dixhitale.

“Nuk po debatohet për të përjashtuar ndonjë fushë nga fuqia e ligjit”, tha zoti Altun. “Ne i japim prioritet dhe i trajtojmë çështjet e sigurisë në botën kibernetike në të njëjtat mënyra që i japim prioritet dhe i trajtojmë çështjet e sigurisë në botën reale”.

Mediat dixhitale

Media turke ka ngritur gjithashtu kundërshtime ndaj pjesëve të projektligjit që do t’i mundësonte faqeve të lajmeve në internet të marrin të ardhura nga reklamat publike dhe mbi një komitet të ri për dhënien e kredencialeve për shtypin.

Disa shoqata gazetarësh thanë se lejimi i marrjes së të ardhurave nga Agjencia shtetërore e Reklamimit të Shtypit (BIK) për faqet e internetit mund të ndikojë negativisht në gazetat lokale. Pa buxhet shtesë, të ardhurat do të duhet të ngushtohen më tej, gjë që mund të detyrojë disa gazeta të pakësojnë stafin, thanë grupet në një deklaratë të martën.

Grupet aktiviste, përfshirë Reporterët pa Kufij, kanë kritikuar më parë kriteret e BIK-ut për ndarjen e të ardhurave zyrtare, duke thënë se “është e mundshme të shkaktojë praktika arbitrare që u mohojnë mediave që flasin haptazi të ardhurat nga reklamat”. [[ https://rsf.org/en/turkey-must-stop-using-state-advertising-allocation-penalise-critical-media ]turNjë zëdhënës i BIK-së i tha Zërit të Amerikës në shtator se agjencia punon brenda rregulloreve për të dhe vendimet e saj “janë plotësisht objektive”.

Në mënyrë të ngjashme, sindikatat e gazetarisë kundërshtuan dispozitat në lidhje me akreditimin e mediave.

Legjislacioni i propozuar thotë se kartat e shtypit do të jepen nga një komitet prej nëntë anëtarësh, pesë prej anëtarëve të të cilit emërohen nga drejtoria e komunikimeve. Katër të tjerët do të vijnë nga organizata të gazetarisë.

Gokhan Durmus, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Turqisë, kundërshtoi për faktin se komiteti do të kontrollohet nga burokratët, në vend të organizatave të gazetarisë. “Sindikatat duhet ta japin kartën e shtypit, si në pjesët e tjera të Evropës”, tha ai.

Për sa kohë që një qeveri është armiqësore ndaj medias së pavarur, kartat e shtypit nuk ofrojnë siguri për gazetarët, shtoi zoti Durmus.

“Autoritetet nuk e shikojnë kartën në xhepin e gazetarit. Ata shikojnë se çfarë lajmi ka ardhur për të pasqyruar gazetari. Dhe nëse lajmi nuk kërkohet të bëhet publik, gazetari rrihet, ndalohet, gjykohet në gjykatë ose arrestohet”, tha zoti Durmus për Zërin e Amerikës.

Me partinë AKP në pushtet dhe partinë e saj aleate MHP që mbajnë shumicën në parlament, projektligji pritet të miratohet. Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) ka shprehur kundërshtimin e saj dhe ka thënë se do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese nëse ligji miratohet. /VOA