Rojet bregdetare të Greqisë dhe të Turqisë janë duke kërkuar të paktën 8 persona, të cilat janë zhdukur pasi një anije me 45 emigrantë u fundos në brigjet e Kretës. 37 persona, shumica e të cilëve nga Siria dhe Iraku, mundën të shpëtonin të enjten pavarësisht kushteve të vështira të motit në të cilën ndodheshin dhe u dërguan në një ishull grek.

Roja bregdetare greke ka deklaruar se kërkimet e së premtes u penguan për shkak të erërave të forta. Në operacion marrin pjesë edhe 2 frigata turke dhe një avion patrullues të cilët sipas Ministrisë së Mbrojtjes po kërkojnë emigrantët e zhdukur. Të mbijetuarit kanë thënë se 8 deri në 12 persona kanë qenë në anije kur ajo u fundos. Emigrantët e paligjshëm e përdorin Turqinë si një pikë tranziti për të arritur në vendet e Bashkimit Europian. Për ta bërë këtë duhet që të kalojnë edhe Greqinë.

Shumica prej tyre rrezikojnë jetën gjatë këtyre udhëtimeve që shumicën e rasteve kryhen me anije që janë të tejmbushura nga njerëz. Në vitin 2016, Turqia lidhi një marrëveshje me BE-në për të ndaluar emigrantët drejt unionit. Aktualisht Ankaraja zyrtare mban 3.7 milionë refugjatë nga konflikti në Siri. Megjithatë Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka kërkuar më shumë ndihmë nga BE për t’u përballur me situatën e krijuar nga refugjatët./tvklan.al