erdoganAvancimi i xhihadistëve drejt kufirit turk në Siri ka alarmuar Ankaranë.

34 tanke u dërguan gjatë ditës në zonën përreth pikës kufitare që ndodhet në vijën që ndanë territoret turke nga qyteti kurd Kobane në Siri.

Alarmi erdhi pas 4 predhave që ranë nga Siria në territorin turk, akt që dyshohet të jetë vepër e Shtetit Islamik.

Xhihadistët ndodhen vetëm 5 kilometra larg qytetit kurd Kobane në Siri.

Avancimi i ekstremistëve suni, që nuk po ndalet edhe nga sulmet intensive ajrore të koalicionit ndërkombëtar,  ka shkaktuar kaos në kufirin turk, si pasojë e dyndjes atje të rreth 160 mijë kurdëve, që duan t’u shpëtojnë mizorive xhihadistëve.

Pranë kufirit me Turqinë, xhihadistët kanë marrë nën kontroll brenda pak ditëve 60 fshatra.

Kjo situatë është bërë shkak që qeveria e kryeministrit Rexhep Taip Erdoan të ndryshojë qëndrimin pasiv të mbajtur deri më tani ndaj Shtetit Islamik.

Mediat turke njoftojnë se qeveria ka në plan të përfshihet në koalicionin ndërkombëtar kundër Xhihadistëve.

Ndryshimi i kursit vjen pak ditë pas lirimit të 49 robërve turq, të kapur nga xhihadistët në konsullatën e Mosulit.

Por analistët shohin tek ndryshimi i qëndrimit të Ankarasë, frikën e forcimit të faktorit kurd në rajon. Kurdët e Sirisë dhe Irakut po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetjen e perëndimit.

Kjo do t’i sillte telashe Turqisë me pjesën e kurdëve etnikë në territorin e saj. Ndaj dhe sipas analistëve, ky është edhe momenti që Turqia të pozicionohet në anën e duhur, përparase të jetë tepër vonë.

Më herët presidenti amerikan Barak Obama, i ftuar në emisionin “60 minuta në kanalin televiziv ameikan CBS, pranoi se Shteti Islamik u nënvlerësua.

Kjo është analiza që ka bërë presidenti Obama në një intervistë për emisionin e njohur “60 minuta” të rrjetit CBS. Megjithatë ai shprehu bindjen se situata do të gjejë zgjidhje, megjithëse tpranoi se kjo po vjen përmes ndërhyrjes ushtarake.

Tv Klan