Erdogan: Strehojmë 3.6 mln persona, nuk mundemi më

Këto grupe refugjatësh nga Siria po i drejtohen kufirit tokësor turk me Greqinë. Mediat shkruajnë se po rikthehet vala e re e refugjatëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. Këtë herë Turqia nuk ka ndërmend t’i ndalojë.

Bëhet fjalë mijëra banorë të Idlibit që duan të shkojnë drejt vendeve të Europës, pasi nuk gjejnë qetësi prej më shumë se një viti në shtëpitë e tyre të gjendura në fushëbetejën mes forcave të regjimit të presidentit Bashar al-Asad dhe rebelëve pro-turq.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha gjatë një mbledhjeje me Ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar për krizën në Idlib se vendi i tij nuk do të pengojë më dyndjet e refugjatëve drejt Europës. Sipas tij, Turqia strehon aktualisht 3.6 milionë sirianë të ardhur gjatë këtyre 9 viteve konflikt dhe nuk ka më kapacitete për të pritur të tjerë.

Kjo konsiderohet edhe si formë hakmarrjeje e Erdoganit ndaj perëndimit dhe aleatëve të NATO-s që nuk e ka miratuar operacionin turk në veri të Sirisë.

33 ushtarë turq u vranë gjatë luftimeve me forcat e Asadit në veri të Sirisë, teksa Erdogan tha se bisedimet e paqes me ndërmjetësimin e Moskës ende nuk kanë sjellë rezultate në terren. Presidenti turk ka njoftuar se brenda pak ditëve do të nisë sulmin kundër forcave të Asadit në Idlib, çka kundërshtohet ashpër nga partnerët rusë të regjimit sirian.

Tv Klan