Turqia heq veton ndaj Suedisë dhe Finlandës




Turqia heq veton ndaj Suedisë dhe Finlandës

22:37 28/06/2022

Nënshkruhet memorandumi që trajton shqetësimet e Turqisë

Turqia vendosi të heqë veton e saj ndaj Suedisë dhe Finlandës mbi anëtarësimin e dy vendeve në NATO.

Vendimi i Ankarasë për vendet nordike erdhi pas një takimit mes liderëve të tre vendeve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg që i parapriu Samitit të Nivelit të Lartë të Aleancës që ka nisur punimet në Spanjë.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga Presidenti i Finlandës Sauli Niinisto, i cili tha se marrëveshja u arrit pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët me qëllim “për të zgjeruar mbështetjen kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”.

Pas bisedimeve urgjente të nivelit të lartë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha se “tani kemi një marrëveshje që u hap rrugën Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO”.

Marrëveshjen e përshëndeti edhe Presidenti amerikan Joe Biden i cili në një mesazh në rrjetet sociale uroi Finlandën, Suedinë dhe Turqinë për nënshkrimin e memorandumit.

Ndërsa agjencia e lajmeve Reuters duke cituar një zyrtar të lartë amerikan shkroi se Presidenti Joe Biden luajti një rol prapa skenës në negociatat e vendeve nordike me Turqinë.

Në samitin tri ditor që po mbahet në Spanjë, merr pjesë edhe Shqipëria e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama. Ai mori pjesë në pritjen dhe darkën e shtruar nga Mbreti Filip i Spanjës në Pallatin Mbretëror.

Tv Klan











Të ngjashme