Qeveria e Erdoganit nga sot kontrollon rrjetet sociale dhe median online

Media sociale, që është opozita më e fortë ndaj Presidentit Erdogan, tashmë është nën kontrollin e pushtetit në Turqi. Nga sot nisën rregullat e reja për rrjetet sociale, që përfshijnë kontroll të plotë të tyre dhe gjoba të majme. Gjithçka që postohet në internet do të fshihet nëse autoritetet e shohin si të papërshtatshme.

Kontrolli përfshin thuajse të gjitha mediat sociale, si WhatsApp, Facebook, Twitter, Instagram, TikTok, si dhe Google. Të gjitha bisedat që do të bëhen qoftë edhe në WhatsApp do të kalojnë në filtrin e autoritetit, rregullues për internetin dhe do t’i kërkohet kompanisë që të marrë masa ndaj llogarisë nga ku e ka burimin.

Nëse aplikacioni nuk ndërhyn gjoba fillestare është 10 milionë lira dhe nëse kjo do të jetë e vazhdueshme atëherë do të ndërpritet futja e reklamave në median sociale.

Në filtër të veçantë do të kalojnë llogaritë nga jashtë Turqisë nga ku në fakt bëhen edhe denoncimet më të shumta për pushtetin e Erdogan ndërsa rregullores do t’i nënshtrohet edhe rrjeti Netflix që duhet të bëjë kujdes me përmbajtjen e filmave.

Për llogaritë që shkelin rregullat do të ketë zvogëlim të shpejtësisë së internetit deri në 90 përqind, çka do të thotë se nuk do të munden të postojnë më thuajse asnjë material në internet.

Ligji i ri kaloi në Kuvend me argumentin se mbron të drejtat e njeriut, lufton urrejtjen dhe sulmet personale. Por një akt i tij u ndërmor nga autoritetet pas komenteve të shumta në rrjetet sociale për qeverisjen e Erdogan, veçanërisht nga të rinjtë të cilët deklaruan votë kundër për të në zgjedhjet e vitit 2023.

Klan Plus