Erdogan: Nuk kemi nevojë të marrim leje apo autorizim nga askush

Turqia nis kërkimet për naftë dhe gaz me një tjetër anije sizmike. Ajo do të kërkojë edhe në Detin Mesdhe pavarësisht përplasjes me Greqinë për kufirin detar. Presidenti Erdogan lëshoi sërish akuza për Athinën ndërsa tha se Turqia do të marrë çfarë meriton.

3 anije po vijojnë kërkimet për naftë dhe gaz.

Presidenti turk Erdogan e tha qartë se anija e re do të kryejë kërkime edhe në detin Mesdhe, jo shumë larg ishujve grekë. Gjatë fjalës së tij Erdogan nuk harroi të shigjenote Athinën.

“Kërkimet në Mesdhe i bëjmë brenda territorit tonë. Nuk kemi nevojë të marrim leje apo autorizim nga askush. Ata që përkëdhelen dhe trajtojnë veten si fëmijë, duhet që t’i thërrasin mendjes.  As kukullat dhe as ata që luajnë lojën e tyre, nuk do të na pengojnë dot të marrim të drejtën tonë në Mesdhe. Do të shohin anijen Abdulhamid dhe do t’u kujtohen ngjarjet e shekullit të kaluar. Por mos të shqetësohen. Ne nuk synojmë territorin e askujt.”

Tha se ndaj Turqisë kanë bërë padrejtësi ndërsa foli për aleatë dhe miq që e përkrahin në rrugëtimin e tij për ndërtimin e Turqisë së Madhe.

“Na kanë marrë të drejtat me marrëveshje ndërkombëtare dhe me harta të falsifikuara. Kjo është një kafshatë që do t’u mbetet në grykë. Nëse do të jetë nevoja, do të bëjmë përpjekje dhëmbë më dhëmbë. Në këtë rrugë nuk jemi vetëm. Kemi miqtë dhe aleatët tanë. Po e them qartë. Kush është në krahun tonë do të jetë fitues. Kush është përballë nesh, do të jetë humbës.”

Vitin e kaluar anijet sondazh të Turqisë zbuluan në Detin e Zi një rezervë prej 405 miliardë m3 gaz natyror.

Klan News