Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh i qartë në konferencën për shtyp me homologun e tij turk për personat gylenistë që veprojnë në Shqipëri, të cilët Turqia i konsideron organizatë terroriste.

Pyetjes së gazetarëve se çfarë masash ka marrë Shqipëria për anëtarët e organizatës FETO në vendin tonë për të cilët Turqia kërkon dëbimin e tyre, ministri Bushati iu përgjigj duke thënë se qeveria shqiptare vepron mbi bazën e rregullave ndërkombëtare.

“Përgjigjia e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që është solidarizuar me çka ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Ka aderuar në disa dokumente të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e ekstradimit. Dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”,

u shpreh ministri i Jashtëm.

Bushati theksoi gjithashtu se në çështjet fetare në Shqipëri, fushë në të cilën mendohet se vepron edhe organizata e klerikut turk Fetullah Gulen, shteti shqiptar nuk ndërhyn aspak, dhe në këtë mënyrë nuk lejohet ndërhyrja e asnjë shteti tjetër, qoftë edhe e Turqisë. Këtë përgjigje ai e dha lidhur me pyetjen e gazetares së TV Klan për kreun e Komunitetit Mysliman, nëse për të cilin Turqia kërkon largimin e tij.

Pyetja e gazetares së Tv Klan:

A po e kushtëzon inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë qeveria turke me emrin e kryetarit të komunitetit mysliman? Pra, po kërkoni ju largimin  e kryetarit të Komunitetit Mysliman?

“Në median shqiptare por jo vetëm ka pasur lloj-lloj spekulimesh mbi këtë çështje. Në fakt është ai qëndrim i njohur që ka të bëjë me AND-në e kombit shqiptar, me parimin e laicitetit, që ishte parimi udhërrëfyes i rilindasve tanë, kësisoj do të ishte absurde të mendohej që shteti shqiptar mund të përfshihet në çështjet fetare e jo më një vend i huaj, qoftë edhe një vend mik siç është Turqia”

, deklaroi ministri Ditmir Bushati.

Kurse ministri i Jashtëm turk nuk e përmendi aspak kreun e KMSH-së, por tha se arsyeja përse nuk po inaugurohet ende xhamia e re e Namazgjasë e financuar nga Turqia, është për shkak se po kryhen ende punime. 

/tvklan.al