Shtetet e Bashkuara kanë anuluar vendosjen e dy anijeve luftarake në Detin e Zi, thanë zyrtarët dhe media turke. Burimet diplomatike turke thanë se kalimi i anijes së parë përmes Ngushticës së Bosforit, ishte planifikuar për të mërkurën, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Paralajmërimet për dërgimin e luftanijeve ishin bërë pas rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës.

Javën e kaluar Turqia njoftoi se ishte informuar përmes kanaleve diplomatike se dy anije luftarake të SHBA “do të kalojnë drejt Detit të Zi” dhe do të qëndrojnë në rajon deri më 4 Maj. Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Uashingtoni për vendosjet e planifikuara ose për anulimin e tyre. Ambasada e SHBA-së në Ankara kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme të Turqisë për lëvizjen, thanë burimet.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu e Turqisë më vonë njoftoi se asnjë njoftim i ri nuk ishte dërguar në Ankara për vendosje të mundshme në datat e mëvonshme. Zyrtarët amerikanë thanë se Turqia mund të ketë keqkuptuar njoftimin fillestar, pasi vendosja e anijeve nuk ishte konfirmuar kurrë. Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara shpesh e njoftojnë Turqinë për qasje të mundshme në Detin e Zi. Por, një kërkesë e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht anijet e saj do të kalojnë andej.

Sipas Konventës së Montreux që daton nga viti 1936, Uashingtoni është i obliguar t’i tregojë 15 ditë përpara Ankarasë se do të dërgojë anije luftarake nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve. Kushtet e traktatit lejojnë që anijet luftarake të huaja të qëndrojnë në Detin e Zi për 21 ditë. Anijet e Marinës Amerikane veprojnë vazhdimisht në rajon në mbështetje të Ukrainës, e cila në lindje të vendit ka luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia që kur një revolucion i vitit 2014 rrëzoi udhëheqësin pro-Moskës në Kiev. Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës.

Njoftimi i javës së kaluar për vendosjen e anijeve luftarake të SHBA-së erdhi ndërsa tensionet midis Moskës dhe Kievit janë rritur për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufirin e Ukrainës. Lajmi i së mërkurës për anulimin e vendosjes së anijeve luftarake amerikane pason një bisedë telefonike mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden me homologun e tij rus Vladimir Putin./REL