Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, rendohet bilanci i viktimave

Në Turqi është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore pas vatrave të zjarrit të ndezura në të gjithë vendin.  Situata është më e rëndë në pjesën e Egjeut. Flakët në Manavgat dhe Bodrum janë nën kontroll, ndërsa më problematike paraqitet situata në qytezën Marmaris.

Disa persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe 2 punonjës të shërbimit zjarrfikës. Dhjetëra shtëpi janë bërë hi ndërsa flakëve nuk u kanë shpëtuar as kafshët. Presidenti Erdogan u shpreh se vatrat janë ndezur nga anëtarëve të organizatave kriminale.

“Disa prej zjarreve janë ndezur nga fëmijë. Për një vatër, një person është arrestuar.  Krerët e grupeve terroriste kanë dhënë urdhër që të digjen pyjet. Shumë prej zjarreve kanë nisur në të njëjtën mënyrë. Ua kemi borxh qytetarëve që ata që vënë zjarre në pyje, ti djegim edhe ne. Ne do të vijojmë hetimet dhe do ti identifikojmë terroristët”.

Kreu i shtetit turk njoftoi se brenda këtij muaji do të nisë ndërtimi i shtëpive të djegura ndërsa qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë qira për strehim ndërsa gjatë kësaj periudhe nuk do të paguajnë taksa apo kredi.

Klan News