I pari ishte një shtetas amerikan

Turqia ka nisur riatdhesimin e luftëtarëve të huaj të organizatës terroriste Shteti Islamik, që ndodhen në burgjet e këtij vendi.

Duke folur për agjencinë turke të lajmeve Anadollu, zv/ministri i Jashtëm turk Ismail Çatakli tha se riatdhesimi i parë nisi këtë të hënë. Ai është një shtetas amerikan, i cili do të kthehet në vendin e tij të origjinës.

Zv/ministri Çatakli njoftoi se brenda kësaj jave do të riatdhesohen edhe 2 xhihadistë të tjerë, një gjerman dhe një danez. Procedurat kanë nisur edhe për 24 luftëtarë të huaj, përfshirë 11 francezë dhe 10 gjermanë.

Në Turqi ndodhen të arrestuar 1200 luftëtarë të Shtetit Islamik. 287 të tjerë janë arrestuar në operacionin ushtarak “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, shumica e të cilëve të arratisur nga kampet burgje të kurdëve.

Megjithatë, vendet perëndimore nuk pranojnë riatdhesimin e tyre. Vende si Gjermania e Franca thonë se ata duhet të gjykohen e të dënohen në vendet ku kanë kryer krime. Me refuzimin e vendeve perëndimore është e paqartë procedura e riatdhesimit të tyre.

Tv Klan