Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në simpoziumin Symi të zhvilluar në Athinë në drejtimin e ish-kryeministrit grek George Papandreu. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Greqia duhet të kthejë ndikimin e saj në rajon.

Ai u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikohen nga influencat ruse dhe kineze. Si shembuj mori Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, kur u shpreh se Kina u ofroi “para të lehta” po tashmë po mendojnë si të dalin nga borxhet.

Sa i përket Turqisë, Rama u shpreh se nuk e sheh si aktore të tretë në rajon.

“Kështu që duke e pasur këtë zonë të hapur me njerëz që janë të zhgënjyer me kinezët që vijnë dhe ofrojnë atë që ata thonë ‘para të lehta’, por nuk janë para të lehta në fund të fundit. Shiko Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut që duhet të mendojnë se si të dalin nga këto borxhe të çmendura me paratë e kinezëve. Turqia po ashtu, por Turqia është një histori tjetër për mendimin tim. Nuk e shoh Turqinë si aktore të tretë. Ne duhet të bëjmë sa më shumë të mundemi për bashkëpunim rajonal. Meqë ra fjala ende po pres që Greqia të kthehet në rajon. Është e qartë se pse Greqia i ka kthyer shpinën vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të krizës financiare. Por Greqia duhet të kthehet në rajon sepse është një vend në BE dhe është një vend në Ballkan”. /tvklan.al