Henri Barkey* – The Washington Post

Më 16 Prill, turqit do të votojnë në referendumin më të rëndësishëm të historisë moderne të Turqisë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) u kërkojnë turqve të votojnë “pro” ndryshimeve kushtetuese që do ta kthejnë Turqinë nga një  sistem parlamentar në sistem presidencial.

Sistemi i propozuar nuk ka të ngjashëm në botën moderne. Ai gërryen pushtetin e legjislativit dhe gjyqësorit në favor të ekzekutivit, i cili do të jetë i përqendruar në duart e një personi. Ky person nuk është askush tjetër veç Erdoganit, i cili ka qenë në pushtet që prej vitit 2003, së pari si kryeministër dhe më pas si president.

Nuk është i habitshëm fakti që referendumi po rezulton shumë përçarës në mesin e popullit. Qeveria ka përdorur të gjithë prerogativat për të përhapur mesazhin e saj dhe t’iu zënë frymën kundërshtarëve. Media turke, 90 për qind e të cilës është e kontrolluar nga qeveria në mënyrë direkte ose indirekte, është intimiduar në mënyrë tërësore. Të paktën 81 gazetarë janë burgosur. Media sociale, zona e vetme e mbetur për kritikët, monitorohet në mënyrë strikte. Një tweet, veçanërisht një postim kritik ndaj Erdoganit, lehtësisht mund t’ju çojë në burg. Shumë websajte janë bllokuar dhe qytetarët të cilët bëjnë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese janë po ashtu subjekt arrestimesh.

Ndryshimet e propozuara kushtetuese janë “thurur” për Erdoganin. Presidenti jo partiak i deri më tanishëm do të lejohet të udhëheqë partinë e tij edhe kur të jetë në krye të shtetit. Ai do të mund të emërojë ministrat, të cilët do i japin llogari vetëm atij dhe jo parlamentit. Ai do të ketë mundësinë të emërojë një ose më shumë zv/presidentë, të cilët, sërish nuk do të raportojnë para ligjvënësve. Ai po ashtu do të mund të emërojë të gjithë nëpunësit e lartë civilë dhe do të ketë pushtetin të zgjedhë direkt ose indirekt të gjithë gjyqtarët në trupat e larta gjyqësore, përfshirë gjykatën kushtetuese.

Ka po ashtu “perla” të tjera të fshehura në propozimin për ndryshime kushtetuese. Një prej tyre është një amendament dy-fjalësh lidhur me të drejtat e Bordit Mbikëqyrës të Shtetit, një trupë presidenciale që mbikëqyr aktivitetet e trupave publike dhe private, përfshirë sindikatat, dhomat e tregtisë, klubet e futbollit dhe organizatat jofitimprurëse. Amendamenti do t’i japë bordit fuqi prokuroriale mbi këto institucione, çka do të thotë se Presidenti do të ketë pushtet të gjerë në mbikëqyrjen e shoqërisë civile.

Dhe megjithëse Presidenti do të ketë kufizimin e dy mandateve 5-vjeçare duke filluar nga 2019-a, kur ndryshimet do të hyjnë në fuqi, ka një shteg që do t’i lejojë të fitojë një mandat të tretë nëse zgjedhjet kombëtare do të mbaheshin para fundit të mandatit të dytë të presidentit. Kushtetuta e re, nëse aprovohet, pothuajse automatikisht ia lejon presidentit të garojë për një mandat të tretë. Një përllogaritje e thjeshtë tregon se Erdogani mund të ketë edhe 14 vite të tjera në krye të shtetit duke nisur nga dy vite më vonë (2019).

Qeveria po përdor të gjitha mundësitë në dispozicion për të heshtur opozitën. Me gjithë këtë, gara është shumë e ngushtë. Duket se Erdogani dhe AKP-ja janë në panik. Presidenti dhe rrethi i tij po akuzojnë kundërshtarët e referendumit për tradhti. Një gamë pretekstesh zyrtare po përdoren për t’u mohuar të drejtën e fushatës politikanëve që kundërshtojnë ndryshimet.

Kur qeveritë evropiane bllokuan përpjekjet e AKP-së për të mbledhur mbështetje për referendumin mes diasporës së madhe turke, Erdogani dhe njerëzit e tij u kundërpërgjigjën me kritika të ashpra kundër Holandës dhe Gjermanisë. Me akuzuat ndaj të dy vendeve për nazizëm, AKP tregoi rreziqet që ishte e gatshme të ndërmerrte për të ushqyer zjarrin anti-perëndimor në gjueti të votave “pro”.

“Nëse Evropa vazhdon kështu”, deklaroi Erdogani, “asnjë evropian në cilëndo pjesë të botës nuk do të mund të ecë i sigurt në rrugë.” Ndërsa, ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, pasi iu mohua aterrimi me avion në Holandë, iu referua vendit si “kryeqyteti i fashizmit”. Këto deklarata kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në marrëdhëniet afat-gjata mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Është e vështirë të mendosh se si do të munden evropianët t’i marrin seriozisht aspiratat e turqve për anëtarësim.

Pasojat për Turqinë janë të thjeshta: Një votë “kundër” mund të pasohet nga një periudhë paqëndrueshmërie dhe pasigurie të thellë. Në kontrast me këtë, nëse Turqit votojnë “pro” ndryshimeve kushtetuese do të institucionalizonin një sistem populist autoritar që rrezikon kolapsin kataklizmist, ngjashëm me atë që po ndodh aktualisht në Venezuelë, por Turqia është një vend shumë më i rëndësishëm. Në cilindo përfundim mund të ketë krizë. Vota kundër në referendum mund të rezultojë në një shok të menjëhershëm për Erdoganin dhe AKP-në, mundësisht duke çuar partinë drejt kërkimit të një lidershipi alternativ.  Ndërsa vota pro do ta shtynte këtë për shumë më vonë.

Paradoksalisht, të njëjtit liderë evropianë dhe amerikanë që po sulmohen nga autoritetet turke janë të frikësuar nga paqëndrueshmëria e mundshme që mund të shkaktonte refuzimi i sistemit të propozuar (nga Erdogani). Kështu që ata po presin në heshtje që Erdogani të fitojë me një shumicë bindëse. Shanset janë që ata, së bashku me pjesën tjetër të Turqisë, të surprizohen. Turqit kanë tendencën t’i kundërvihen sistemit kundër kur ndjejnë se rregullat e lojës janë të pandershme apo në rastet kur detyrohen nga liderët e tyre. Askush nuk duhet të supozojë se referendumi do të përfundojë sipas planifikimeve të Erdoganit.

*Henri J. Barkey është drejtor i Programit për Lindjen e Mesme të Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve Woodrow Wilson

Shqipëroi: tvklan.al