Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën sërish në Stamboll, Ankara e qytete të tjerë për 6 mbrëmje radhazi për të protestuar kundër arrestimit të kryrbashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamollu.

Më herët gjatë ditës, ministri i brendshëm Ali Jerllikaja njoftoi se në 5 ditë protesta të jashtëligjshme janë arrestuar mbi 1133 protestues. Në  mesin e të  arrestuarve ka edhe 10 gazetarë.

Pas dhunës intensive dhe përmasave të mëdha që morën protestat natën e kaluar, Erdoan i quajti protestat “manifestime të së keqes”.

 “Në vend që të përgjigjen ndaj akuzave për korrupsion, grabitje, ryshfet dhe zhvatje, ata kanë bërë thirrje nga më të ndyrat dhe të paligjshmet në historinë tonë politike për pesë ditët e fundit. Mjaft u prishët qetësinë qytetarëve. T’ju vijë turp për të keqen që po i bëni vendit”, ka thënë Presidenti Erdogan.

Erdoan akuzoi protestuesit se kanë plaçkitur bizneset në bulevardet ku kanë protestuar dhe kanë plagosur punonjës policie me molotov.

Në zgjedhjet e së dielës brenda partisë republikane, më e madhja e opozitës, mbi 15 milionë votues zgjodhën Ekrem Imamollunë si kandidat për pesident në zgjedhjet e 2028-ës. Mes tyre, vetëm 1.7 milionë ishin anëtarë të partisë, por pjesë mund të merrnin të gjithë qytetarët e interesuar.

Komisioni Europian ngriti pikëpyetje për arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, duke hedhur dyshime se janë shkelur parimet demokratike.

Ekrem Imamollu u arrestua të mërkurën me akuza për përfshirje në afera të rënda korruptive me tenderat e bashkisë që drejton. Ndërsa opozita akuzon presidentin Rexhep Taip Erdogan si urdhërues të arrestimit, pasi po përpiqet ta përjashtojë nga gara presidenciale e 2028-ës, ku mund të kandidojë edhe vetë Erdogan nëse miratohen ndryshime që ia lejojnë këtë pas 2 mandatesh të ezauruara.

Tv Klan